Çfarë qëndron pas kundërshtimeve për ndërtimin e një kishe në Vushtrri?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 21.08.2026, 10:51

Bekimi i një trualli në fshatin Zogaj të Vushtrrisë, ku Dioqeza Prizren-Prishtinë planifikon në të ardhmen ndërtimin e një kishe, ka shkaktuar protesta të banorëve dhe debat publik në Kosovë. Ceremonia u zhvillua më 17 gusht, ndërsa qëndrimet e autoriteteve lokale dhe Kishës Katolike ndryshojnë. Komuna e Vushtrrisë thotë se nuk ishte njoftuar paraprakisht për vendosjen e gurit të themelit dhe se nuk kishte marrë kërkesë për leje ndërtimi. Nga ana tjetër, dom Fran Kola, vikar ipeshkvor, deklaroi se kryetari i Vushtrrisë ishte njoftuar për ceremoninë, ndërsa Policia e Kosovës ishte informuar që në korrik. Sipas Kishës, më 17 gusht u bë vetëm bekimi i tokës dhe vendosja simbolike e një guri themeli, jo nisja e punimeve për ndërtimin e objektit.

Polemika ishte shfaqur që në fund të korrikut, kur Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Vushtrri shprehu shqetësimin për projektin, duke theksuar se në zonën ku planifikohet kisha nuk jetojnë besimtarë katolikë dhe se fshatrat përreth janë kryesisht myslimane. Sipas dom Fran Kolës, toka është pronë e Dioqezës, me sipërfaqe 11.266 metra katrorë, dhe është dhuruar nga familja Musa nga Maxhunaj. Kola mohoi përfshirjen e partive politike apo organizatave në projekt, ndërsa Lëvizja për Rikthim deklaroi se nuk është pjesë e nismës, por vetëm kishte shpërndarë njoftimin për ceremoninë. Arbër Gashi nga kjo lëvizje tha se qëllimi i tyre lidhet me rikthimin paqësor të shqiptarëve në besimin e të parëve. Ndërkohë, ndaj Musë Musës është bërë më herët kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, ku një avokat e ka akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit për shkak të pretendimeve për deklarata në rrjetet sociale; Prokuroria nuk ka dhënë koment për rastin.

Sipas Dioqezës, në Vushtrri janë mbi 100 besimtarë katolikë, ndërsa të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 tregojnë se vetëm 37 persona në komunë janë deklaruar katolikë. Dom Fran Kola tha se për të avancuar me projektin do të nevojitej një komunitet prej rreth 300 deri në 500 besimtarësh dhe se aktualisht nuk ka nisur ndërtimi. Fillimisht ishte planifikuar që më 18 gusht të zhvillohej edhe një meshë për bekimin e truallit dhe pagëzimin e disa personave, por pagëzimi u zhvendos në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, sipas Kishës për të ruajtur qetësinë dhe paqen. Kosova është shtet laik dhe Kushtetuta garanton lirinë e besimit dhe fesë, ndërsa në regjistrimin e vitit 2024, 93.49% e popullsisë u deklarua myslimane, 2.31% ortodokse dhe 1.75% katolike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit