Vrasja e turistit portugez në Ksamil, 11 të arrestuar para Gjykatës së Sarandës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 21.08.2026, 07:59

Këtë të premte pritet të dalin para Gjykatës së Sarandës për masën e sigurisë Sokrat Lipan alias Sokrat Vata dhe 10 persona të tjerë të arrestuar pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. I riu, me banim në Francë, kishte mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë para ngjarjes, së bashku me 8 miq francezë. Mbrëmjen e 17 gushtit, grupi mori pjesë në një festë me DJ francezë në klubin e kompleksit “Principote”. Pas përfundimit të festës, një debat mes turistëve dhe disa personave të tjerë përshkallëzoi situatën, ndërsa sipas burimeve policore, në konflikt ndërhynë punonjës të kompleksit.

Sipas hetimeve të bëra publike deri tani, Davidi Heurtevent, shqiptar me nënshtetësi britanike dhe punonjës i “Principote”, dyshohet se goditi i pari në kokë 20-vjeçarin dhe më pas u shpall në kërkim. Ndërsa Sokrat Vata dyshohet se e goditi Luis Miguel Varela Mendes me thikë, duke i shkaktuar vdekjen në vendngjarje, në një shezlong pranë kompleksit. Vata u arrestua në Levan, ku dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e makinës së shtetasve turq Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak. Në pranga janë vënë edhe katër kamerierë të “Principote”, Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, të cilët sipas burimeve ndërhynë gjatë konfliktit, por u larguan para momentit kur 20-vjeçari u godit me thikë.

Në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të lidhur me sigurinë e kompleksit: Miosid Matushaj, oficer policie në Gjirokastër, Luciano Seferi, punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier, Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër, si dhe Kristi Koshi. Sipas të dhënave të bëra publike, ata akuzohen se nuk ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe nuk njoftuan policinë. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Davidi Heurtevent dhe pronari i “Principote”, Bekim Bulica, ky i fundit dyshohet se ishte i pranishëm në momentin e ngjarjes dhe u largua pa e kallëzuar atë në polici. Të gjitha këto janë akuza dhe dyshime që do të vlerësohen nga organet e drejtësisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit