Amerika e përdori, pastaj e “shporri”: Shqiptari që spiunoi Al-Kaedën për CIA-n

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 21.08.2026, 07:11

Administrata Trump po tenton të deportojë një shqiptar nga Kosova, i cili thotë se ka punuar si agjent i CIA-s dhe se pas sulmeve të 11 shtatorit ishte infiltruar në radhët e Al-Kaedës, duke ndihmuar autoritetet amerikane në arrestimin dhe dënimin e personave të lidhur me organizata terroriste.

Blerim Skoro, 55 vjeç, baba i tre fëmijëve dhe i lindur në Kosovë, u arrestua nga agjentët e Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE) jashtë një zyre emigracioni në New Jersey, ku kishte shkuar për të rinovuar dokumentacionin e tij.

Avokatët e tij i janë drejtuar gjykatës federale për të ndaluar deportimin, duke pretenduar se Skoros i ishte premtuar qëndrimi në SHBA pas viteve të tëra bashkëpunimi të rëndësishëm si “agjent i CIA-s”.

Skoro jeton në Staten Island të New York-ut, punon si shofer taksie dhe ka bashkëshorte e fëmijë amerikanë. Në vitin 2022, autoritetet kishin vendosur shtyrjen e largimit të tij nga SHBA, për shkak të rrezikut që, në rast deportimi, të kapej dhe torturohej nga terroristët.

Sipas avokatëve, ky vendim lidhej edhe me kontributin e tij në arrestimin e anëtarëve të Al-Kaedës, Al-Shabaab dhe Hezbollahut.

Por sot, njeriu që pretendon se vuri jetën në rrezik për qeverinë amerikane, thotë se e njëjta qeveri po përgatitet ta kthejë në Kosovë, ku sipas tij e presin persona që duan ta vrasin.

“Kurrë nuk e mendova se do të më tradhtonin kështu. Ju lutem, nëse do të vdes, dua të vdes në këtë vend, që fëmijët e mi të mund të më varrosin”, deklaroi ai për CBS News nga qendra e ndalimit në Elizabeth, New Jersey.

Historia e Skoros me shërbimet amerikane të inteligjencës, sipas dokumenteve të FBI-së, nisi në vitin 2000, kur ai ndodhej në burg për trafik droge. Skoro thotë se në atë periudhë po përpiqej të mbante fëmijët dhe prindërit refugjatë, pasi familja ishte larguar nga konflikti i Kosovës gjatë viteve ’90.

Ai u kap duke transportuar heroinë jashtë SHBA-së për llogari të një grupi kriminal shqiptar. Pikërisht pas kësaj periudhe, sipas pretendimeve të tij, nisi bashkëpunimi me autoritetet amerikane që më vonë do ta çonte deri te infiltrimi në rrjetet terroriste.

I rritur si mysliman, Skoro u mirëprit nga një grup radikalësh islamikë në një burg në Manhattan, ku nisi të vuante dënimin për trafik droge. Dokumentet e FBI-së, ku ai figuron si informator konfidencial, tregojnë se pas sulmeve të 11 shtatorit, sipas Skoros, CIA iu afrua për të shfrytëzuar lidhjet që ai kishte krijuar.

Gjatë kohës që vuante dënimin në burgun federal FCI Allenwood në Pennsylvania, nga viti 2002 deri në 2006, Skoro pretendon se mblodhi informacione për FBI-në mbi persona të lidhur me terrorizmin. Mes tyre ishte Faysal Galab, pjesë e “Lackawanna Six”, grup që agjentët federalë e përshkruan si celulën e parë terroriste vendase të fshehtë në SHBA; Randall “Ismail” Royer, pjesë e rrjetit xhihadist të Virginias, i dënuar për organizimin e dhunës ndaj trupave amerikane jashtë vendit; si dhe anëtari i Hezbollahut, Junuz Fuaz.

Dokumente të FBI-së të vitit 2004, të publikuara me shumë pjesë të censuruara dhe të siguruara nga CBS News, e rendisin Skoron si informator në një hetim që kishte në shënjestër Osama bin Ladenin. Sipas tyre, ai kishte dhënë në disa raste informacione “të përdorshme” dhe “të besueshme”, përfshirë të dhëna mbi një “kamp trajnimi sirian”.

Skoro besonte se në këmbim të bashkëpunimit do t’i ulej dënimi, por në vitin 2007 u deportua në Kosovë. Ai pretendon se CIA më pas i kërkoi të depërtonte në Al-Kaeda nga Ballkani. Në SHBA u rikthye vetëm në vitin 2014, siç ka deklaruar më herët në dokumentet ligjore të çështjes së tij të emigracionit.

Sipas Skoros, nga viti 2007 deri në 2009 ai punoi nën mbulim brenda organizatës terroriste për llogari të CIA-s, duke udhëtuar në një kamp të ISIS-it në Siri dhe duke vepruar në Liban, Jordani, Pakistan, Egjipt dhe Kosovë.

Foto dhe video të realizuara prej tij gjatë kësaj periudhe e shfaqin në ambiente që duket se janë në Lindjen e Mesme, përkrah personave të njohur si terroristë. Pamjet u përdorën në dokumentarin e vitit 2024, “The Accidental Spy”, si dhe në një episod të “The Shawn Ryan Show” në YouTube vitin e kaluar.

Skoro duket se ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në arrestimin e Betim Kaziut, një terrorist nga Brooklyn, i cili u dënua me 27 vite burg pasi tentoi të blinte armë për grupin terrorist somalez Al-Shabaab, me synimin për të sulmuar trupat amerikane të vendosura jashtë SHBA-së.

Në një deklaratë të dhjetorit 2020, Skoro shkruante se kishte telefonuar fshehurazi kontaktin e tij në CIA për t’i treguar vendndodhjen, ndërkohë që po strehonte Kaziun në apartamentin e tij në Kosovë. Informacioni, sipas tij, çoi në arrestimin e Kaziut në korrik 2009, ku iu gjetën një pushkë, municione dhe granata.

Skoro i ka treguar CBS News edhe disa email-e të shkëmbyera me një person që ai pretendon se ishte kontakti i tij në CIA, i quajtur “Chris”. Në një email të datës 24 shtator 2009 shkruhej: “U gëzova shumë kur pashë se miku ynë Kaziu është kthyer tashmë në SHBA.” CIA nuk iu përgjigj kërkesës së CBS News për koment.

Skoro pretendon gjithashtu se ndihmoi në kapjen e dërgesave me uranium drejt Kosovës, duke parandaluar një komplot të mundshëm për krijimin e një “bombe të pistë”. Ai thotë se, pasi u rikthye në SHBA, nga prilli i vitit 2015 nisi t’i ofronte sërish informacione FBI-së dhe Policisë së New York-ut, pasi ishte kontaktuar, sipas tij, nga një rekrutues i ISIS-it.

Ish-avokati i tij mbrojtës, Joshua Dratel, deklaroi për CBS News se gjatë dekadës së fundit klienti i tij ka bërë një jetë “plotësisht brenda ligjit dhe produktive, së bashku me familjen”, pas një eksperience të rëndë që, sipas tij, Skoro e kreu në shërbim të Shteteve të Bashkuara “me guxim dhe aftësi të mëdha”.

Në kërkesën për habeas corpus, të depozituar në gjykatën federale pas arrestimit të tij në fillim të këtij muaji, thuhet se Skoro “ka punuar për CIA-n, FBI-në dhe Agjencinë Amerikane Kundër Drogës (DEA) për një periudhë gati dhjetëvjeçare”. Dokumenti pretendon gjithashtu se ai ka kryer “punë të përkushtuar dhe heroike si agjent i forcave amerikane të zbatimit të ligjit”.

Bashkëshortja e tij, Susan Skoro, ndodhej me të në zyrën e emigracionit në Elizabeth, New Jersey, kur ai u arrestua më 3 gusht.

Ajo tregoi se sapo Skoro u paraqit në recepsion, agjentët e ICE iu afruan, e futën në një dhomë dhe më pas e larguan me makinë.

“Ata e tradhtuan. Ai e ka kryer dënimin e tij. Për pak humbi jetën dhe askujt nuk i intereson. Ai meriton falje”, tha ajo.

“Ai nuk mund të deportohet askund në mënyrë të sigurt. Ne jetojmë gjithmonë duke parë pas krahëve.”

Skoro mbërriti për herë të parë në SHBA në vitin 1994, duke kërkuar azil pasi kishte dezertuar nga ushtria e atëhershme jugosllave. Ai ka deklaruar se kishte qenë dëshmitar i përdhunimeve dhe vrasjeve të fëmijëve nga ushtarët.

Pas vitesh aktiviteti që ai vetë e përshkruan si spiunazh në shërbim të SHBA-së, Skoro thotë se identiteti i tij si agjent i infiltruar u zbulua. Sipas tij, gjatë një tentative për ta vrarë në Kosovë u qëllua me armë në këmbë, çka e detyroi të arratisej dhe të hynte sërish ilegalisht në SHBA përmes Kanadasë në vitin 2014.

Skoro ra në duart e ICE në vitin 2016, pasi Policia e New York-ut (NYPD) e arrestoi për përdorimin e kartës së transportit publik me tarifë studentore të vajzës së tij. Ky episod hapi një betejë të gjatë ligjore për çështjen e emigracionit.

Në nëntor 2022, një gjykatës federal ia ndaloi qeverisë amerikane deportimin e Skoros drejt Kosovës, për shkak të rrezikut që ai të torturohej ose vritej atje. Vendimi u mbështet në traktatin ndërkombëtar të njohur si Konventa Kundër Torturës, por gjykata nuk shkoi deri në dhënien e lejes së qëndrimit të ligjshëm në SHBA.

Bhairavi Desai, drejtoreshë ekzekutive e sindikatës së taksistëve ku bën pjesë Skoro, tha se ishte “e tronditur” kur mësoi se statusi ligjor i shoferit, të cilin e përshkruan si “mbresëlënës, gazmor dhe të sjellshëm”, ishte kaq i pasigurt.

“Mendova se, duke pasur parasysh punën që ai kishte bërë në luftën kundër terrorizmit në emër të CIA-s, do ta kishte marrë tashmë statusin e përhershëm këtu”, deklaroi Desai për CBS News.

“Duket vërtet brutale që ta kenë përdorur në këtë mënyrë dhe tani thjesht ta flakin tutje.”

Avokatët e Skoros, Rene Kathawala dhe Amy Greer, depozituan më 4 gusht një kërkesë për habeas corpus, duke argumentuar se, falë mbrojtjes së dhënë nga gjykata në vitin 2022, ICE duhet të marrë më parë lejen e një gjykatësi për ta deportuar atë — diçka që, sipas tyre, agjencia nuk e ka bërë.

Këtë muaj, ICE deportoi një grup shtetasish meksikanë që gëzonin të njëjtën mbrojtje si Skoro, pra shtyrjen e deportimit sipas Konventës Kundër Torturës. Kjo ndodhi pasi Departamenti Amerikan i Shtetit mori garanci nga qeveria meksikane se personat e deportuar nuk do të pësonin dëmtime.

Sipas raportimit të The New York Times, edhe procedurat për deportimin e tyre nisën pa iu drejtuar fillimisht një gjykate federale.

“Ky është një tjetër rast që ngre pyetjen nëse Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) mundet — pa njoftim, pa arsye dhe pa një proces të rregullt — të arrestojë në mënyrë arbitrare dhe të mbajë për një kohë të pacaktuar një shtetas të huaj, të cilit i është dhënë mbrojtje nga deportimi sipas Konventës Kundër Torturës”, thuhet në kërkesën e ndryshuar për habeas corpus të Skoros, të depozituar më 17 gusht.

“Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është kategorikisht jo. Ky qëndrim është konfirmuar nga vendime gjyqësore në të gjithë vendin.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit