Në Kosovë është shënuar rritje e numrit të shkurorëzimeve gjatë muajit qershor 2026. Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrit Civil, gjatë këtij muaji janë regjistruar 147 raste të divorceve, 30 më shumë krahasuar me muajin maj, kur ishin regjistruar 117 raste.
Kjo paraqet një rritje prej 25.6 për qind brenda vetëm një muaji.
Të dhënat administrative për muajin qershor tregojnë një rritje të dukshme të numrit të çifteve që kanë përfunduar martesën përmes procedurës së shkurorëzimit.
Sipas të dhënave të publikuara, gjatë qershorit 2026 janë regjistruar 2 mijë e 674 lindje, brenda dhe jashtë Kosovës. Prej tyre, 1 mijë e 399 kanë qenë meshkuj dhe 1 mijë e 275 femra.
Krahasuar me muajin maj, numri i lindjeve është rritur për 14.9 për qind.
Në të njëjtën kohë, janë regjistruar edhe 920 raste të vdekjeve, prej të cilave 494 meshkuj dhe 426 femra. Edhe te vdekjet është shënuar rritje krahasuar me muajin paraprak, prej 5.6 për qind.
Të dhënat për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet publikohen në bazë të të dhënave administrative.