Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar sjelljen e një drejtuesi taksie, pas një konflikti të ndodhur në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë.
Sipas denoncueses, rruga në zonë është e ngushtë dhe në disa pjesë nuk mund të kalojnë njëkohësisht dy automjete. Ajo tregon se, pasi i ka shpjeguar shoferit se automjeti i saj është i ulët dhe nuk mund ta ngjisë në trotuar, i ka kërkuar atij të lëvizte pak mbrapa për t’i krijuar hapësirë kalimi.
Por, sipas saj, situata është përshkallëzuar në debat, me shoferin që dyshohet se e ka fyer dhe kërcënuar.
Në pamjet e siguruara nga qytetarja dëgjohet momenti kur ajo i thotë se po e filmon, ndërsa shoferi i përgjigjet: “Po, po, filmo ti, filmo.”
Pak çaste më vonë, ai i kërkon të hapë derën, ndërsa në pamje shihet teksa tenton të hapë derën e automjetit të qytetares.
Denoncuesja thotë se ka pasur frikë se situata mund të përshkallëzohej më tej dhe se për këtë arsye ka mbajtur dyert e makinës të mbyllura.
“Kisha frikë mos më thyente xhamin e makinës. Por videoja është e qartë. Dallohet edhe shoferi, sjellja dhe targa e taksisë”, i ka thënë ajo JOQ Albania.
Qytetarja deklaron gjithashtu se ka kontaktuar Policinë e Shtetit për rastin dhe se ka vënë në dispozicion pamjet e incidentit.
Rasti ngre shqetësim mbi mënyrën se si një konflikt i nisur për një situatë të zakonshme në rrugë mund të përshkallëzohet brenda pak çastesh.
JOQ Albania i bën thirrje drejtuesit të taksisë që, nëse ka një version tjetër të ngjarjes apo pretendon se situata ka ndodhur ndryshe nga sa paraqitet në denoncim dhe në pamje, të na kontaktojë. Versioni i tij do të jetë i mirëpritur dhe do të pasqyrohet në vijim të raportimit.