Disa vatra zjarri janë aktivizuar në kodrat pranë fshatit Dukat në Vlorë, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Flakët janë pikasur nga banorët, të cilët kanë njoftuar shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit. Përballë përhapjes së zjarrit, disa prej tyre janë afruar vetë në zonë për të ndihmuar në kufizimin e flakëve.
Situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe me shkurre, çka e bën të komplikuar ndërhyrjen me automjete zjarrfikëse.
Forcat zjarrfikëse kanë shkuar në zonë dhe po përpiqen të përcaktojnë mënyrën më të përshtatshme për ndërhyrje, ndërsa vijon monitorimi i situatës.
Shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë që flakët të përhapen më tej, për shkak të afërsisë me zonën e Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Dukati dhe masivi përreth Llogarasë janë përballur edhe në të kaluarën me situata të ngjashme, ku zjarret kanë rrezikuar të përhapen drejt sipërfaqeve pyjore.