Një incident është regjistruar pasditen e sotme në zonën e '21 Dhjetorit' në Tiranë, ku një person ka goditur me grushte xhamin e një autobusi urban, duke e thyer atë.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet një situatë e tensionuar pranë urbanit, ku disa persona ndodhen pranë derës së mjetit dhe duket se përfshihen në një debat.
Në një moment, një person i veshur me të zeza afrohet te urbani dhe godet me forcë xhamin anësor të tij. Pas goditjes, xhami thyhet, ndërsa personi largohet nga zona e urbanit.
Nga pamjet nuk bëhen të qarta shkaqet që kanë çuar në përplasjen mes personave dhe as nëse ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm mes tyre.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur vetëm pak metra larg Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.
Nuk dihet nëse për incidentin ka pasur ndërhyrje të policisë apo nëse ka nisur ndonjë procedim lidhur me dëmtimin e urbanit.