Kur të tjerët zgjedhin të bëjnë politikë me plane zhvillimi, Vangjushi i Himarës duket se ka vendosur të hyjë në histori jo si kryetar bashkie, por si arkitekti suprem i pllakave të mermerit dhe i shëtitjeve romantike përgjatë valëve. Teksa qyteti lundron në halle të vjetra dhe emergjenca shëndetësore që të nxjerrin shpirtin, Bashkia ka vendosur të hapë qesen për të lëshuar plot 500 milionë lekë pa TVSH për një vepër monumentale: pedonalen Spile–Saraçinko. Një investim i shtrirë bukur e rehat në tre vite (2026–2028), ku formula “çelësa në dorë” duket sikur po hap dyert e ndonjë resorti luksoz në Dubai dhe jo të një rruge buzë detit Jon.
Për fat të keq, ndërsa Vangjushi kërkon që kompania fituese të ketë xhiro marramendëse prej 500 milionë lekësh dhe një ushtri me të paktën 120 punonjës për t’i rënë gurit me çekiç, harron se Himarës i duhen gjëra pak më jetike sesa panele WPVC dhe betonarme në prani të ujit. Duket se njeriu i tenderave është fiksuar pas detit, duke u futur thellë me shpime sondash dhe licenca detare për të ngritur një mol, ndërkohë që për të sëmurët dhe turistët që kërkojnë ndihmë urgjente, opsioni i vetëm mbetet lutja.
Në vend që të investonte në një qendër spitalore të denjë apo një pistë helikopteri, sidomos pas tragjedisë së bujshme të turistes pak kohë më parë, që vërtetoi se sistemi shëndetësor lokal është thjesht një ftesë për në botën tjetër, Vangjushi vazhdon të ndërtojë e të shkatërrojë sipërfaqe ekzistuese sikur të ishte duke luajtur me Lego. Me 4 muaj projektim dhe 20 muaj zbatim, deri më 4 shtator 2026, kur ofertat të hapen në tryezë, mbetet vetëm të pyesim: a do të shërbejë ky mol i ri prej gjysmë miliardë lekësh që turistët të shëtisin të qetë, apo do të jetë vendi i duhur ku pacientët të presin ndihmën e shpejtë nga deti, meqë nga ajri dhe rruga është e kotë të presësh?