Situata e zjarreve në zonën e Gojanit në Pukë vijon të jetë shqetësuese, ndërsa flakët janë përhapur më tej të favorizuara nga erërat e forta.
Zjarri ka avancuar nga Gojani i Vogël në drejtim të Gojanit të Madh, duke rritur rrezikun për banesat. Për këtë arsye, disa familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për siguri.
Flakët kanë përfshirë edhe mullirin e fshatit në Gojanin e Vogël, i cili është djegur plotësisht.
Era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit dhe po e vështirëson ndërhyrjen në terren. Ekipet e angazhuara po punojnë për të frenuar avancimin e flakëve, me fokus kryesor mbrojtjen e banorëve dhe banesave.
Gojani dhe Gjegjani janë ndër zonat e raportuara gjatë ditës si problematike për shkak të situatës së zjarreve. Në operacion janë angazhuar edhe forca të Forcave të Armatosura, ndërsa më herët është bërë e ditur se në terren ndodheshin 40 efektivë, një automjet zjarrfikës dhe dy helikopterë.
Situata mbetet dinamike dhe ndërhyrja vijon, ndërsa ende nuk ka një bilanc përfundimtar të dëmeve të shkaktuara nga zjarri.