Fqinji Bitani plagosi Bruçin në Shkodër, e shkuara problematike

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 20.08.2026, 15:11

Një plagosje me armë zjarri e ndodhur sot në lagjen “Rus” të Shkodrës rikthen në vëmendje një seri konfliktesh që kanë nisur në qershor të vitit 2024. Vladimir Bruçi, i cili mbeti i plagosur sot, u qëllua rreth orës 14:30, ndërsa autori i dyshuar, fqinji i tij Pjerin Bitani, është shpallur në kërkim. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta dhe Bruçi ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Por emri i tij ishte bërë i njohur edhe më herët, më 3 qershor 2024, 62-vjeçari u dhunua me sende të forta nga pesë persona pas një konflikti për një vendparkimi. Për atë ngjarje u arrestua Edmond Sakicaj, ndërsa u shpallën në kërkim Izmir Sakicaj, Samet Halluni, Arlind Kajoshi, Samuel Troshani dhe Alban Bruçi, ky i fundit djali i Vladimir Bruçit.

Vetëm tre muaj më vonë, më 7 shtator 2024, konflikti mori një tjetër kthesë. Alban Bruçi dyshohet se qëlloi me katër plumba ndaj një automjeti “Range Rover” që drejtohej nga boksieri i Vllaznisë, Arjon Kajoshi. Plumbat goditën pjesën e pasme të automjetit, ndërsa boksieri 27-vjeçar shpëtoi pa lëndime dhe u largua me vrap nga vendngjarja. Policia identifikoi Alban Bruçin si autor të dyshuar dhe e shpalli në kërkim, duke dyshuar se atentati ishte një akt hakmarrjeje për dhunimin e babait të tij. Në atë kohë u ngrit edhe dyshimi se objektivi mund të kishte qenë Arlind Kajoshi, vëllai i Arjonit, i cili ishte një nga personat e shpallur në kërkim për dhunimin e Vladimir Bruçit.

Por historia e përplasjeve rreth familjeve Bruçi dhe Kajoshi nuk nisi me episodin e vitit 2024. Në gusht 2022, Alban Bruçi ishte përmendur nga policia si person i dyshuar në lidhje me një ngjarje me armë ku u vra Ismet Çekorja, por ndaj tij nuk u gjetën prova dhe ai nuk u arrestua për këtë ngjarje. Po ashtu, në vitin 2021, Arjon Kajoshi ishte në qendër të një incidenti pas finales së boksit në Pallatin e Sportit të Shkodrës, ku pati përleshje mes boksierëve dhe tifozëve pas shpalljes së tij kampion. Sot, me plagosjen e Vladimir Bruçit, një tjetër episod i rëndë i shtohet kësaj historie të gjatë konfliktesh në Shkodër, ndërsa hetuesit pritet të përcaktojnë nëse ngjarja e sotme ka ndonjë lidhje me përplasjet e së kaluarës apo ka një motiv krejt tjetër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit