Pas sherrit me bashkëshorten, shqiptari hidhet me makinë në det

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.08.2026, 11:44

Një konflikt mes një çifti ka përfunduar në mënyrë dramatike në portin e Cattolica-s, në Itali, ku një Volkswagen Golf ka përfunduar në det pasditen e së mërkurës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00. Në automjet ndodheshin një 45-vjeçar shqiptar, banues në San Giovanni in Marignano, dhe bashkëshortja e tij 40-vjeçare, shtetase italiane.

Nga hetimet paraprake dyshohet se pas një debati të fortë, 45-vjeçari ka drejtuar makinën drejt kalatës, duke përfunduar bashkë me automjetin në ujërat e portit. Gruaja ndodhej ende në makinë në momentin e rënies.

Përplasja me ujin bëri që dyert e automjetit të hapeshin dhe çifti të mund të dilte nga kabina. Disa persona që ndodheshin pranë portit reaguan menjëherë dhe u futën në ujë për t’i ndihmuar.

Në vendin e ngjarjes ndërhynë forcat e emergjencës, zjarrfikësit, karabinierët dhe Kapiteneria e Portit.

Pas ndihmës së parë, 45-vjeçari u largua nga zona në drejtim të pjesës shkëmbore dhe aktualisht nuk është lokalizuar. Karabinierët kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij.

Bashkëshortja e tij u transportua në spital, ku raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por në gjendje shoku.

Rasti merr një tjetër dimension pasi, sipas “Rimini Today”, shqiptari ishte ndaluar nga karabinierët vetëm një ditë më parë, pas një konflikti tjetër me bashkëshorten. Ai ishte arrestuar për rezistencë ndaj autoriteteve.

Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë minutë pas minute atë që ka ndodhur para se makina të përfundonte në det. Ndërkohë, autoritetet po organizojnë edhe nxjerrjen e automjetit nga ujërat e portit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit