Bashkëvuajtësit e shpëtuan njëherë, Jurgeni, shqiptari që i dha fund jetës në burgun e Spanjës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.08.2026, 11:10

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në burgun Lleida Ponent, në Katalonjë të Spanjës, ku një i burgosur shqiptar është gjetur i vdekur.

Viktima është identifikuar si Jurgen Rama, nga Burreli por rrethanat e sakta të vdekjes mbeten ende të paqarta.

Sipas të burgosurve shqiptarë që ndodhen në këtë institucion, situata në burg është aktualisht e tensionuar, pasi, sipas tyre, nuk është e qartë se kujt duhet t’i atribuohet përgjegjësia për ngjarjen.

Sipas tyre Jurgen Rama kishte kaluar një periudhë të vështirë psikologjike gjatë kohës që ndodhej në burg. Ata thonë se ai kishte humbur vëllain në një aksident ndërsa ishte i burgosur dhe ishte në pritje të lirimit. Zvarritjet në proceset gjyqësore në Spanjë, sipas këtyre dëshmive, e kishin rënduar gjendjen e tij dhe e kishin çuar në depresion.

Ata pretendojnë gjithashtu se Rama nuk kishte marrë mbështetjen apo shërbimet e nevojshme nga institucionet.

Sipas dëshmive të të burgosurve, më 16 gusht, Jurgen Rama kishte tentuar t’i jepte fund jetës duke u prerë në qafë dhe në dorë. Ai është parë nga të burgosur të tjerë shqiptarë, të cilët, sipas tyre, ndërhynë dhe arritën ta shpëtonin.

Pas kësaj, ai është dërguar në infermieri për të marrë shërbimin mjekësor. Por, sipas dëshmive të të burgosurve, pas trajtimit ai nuk është mbajtur në një ambient të monitoruar dhe nën vëzhgim me kamera, siç pretendohet se parashikon protokolli në raste të tilla, por është kthyer sërish në modul.

Të nesërmen, sipas të njëjtave dëshmi, rreth orës 10:00 të mëngjesit, Rama ka parë se dera e zonës së dusheve ishte e hapur. Ai është futur në atë ambient dhe, sipas pretendimeve të të burgosurve, i ka dhënë fund jetës duke u mbytur me një bluzë.

Të burgosurit ngrenë dyshime edhe për mënyrën se si është lejuar hyrja në zonën e dusheve. Sipas tyre, protokolli i burgut nuk parashikon që dera e dusheve të jetë e hapur në atë orar, duke ngritur pikëpyetje të tjera mbi zbatimin e rregullave të sigurisë në institucion.

Mes të burgosurve shqiptarë ka akuza dhe pretendime për përgjegjësinë e stafit të burgut. Sipas tyre, pas tentativës së parë për vetëvrasje, Jurgen Rama duhej të ishte transferuar në një ambient ku mund të monitorohej në mënyrë të vazhdueshme.

“Tani po ia hedhin fajin njëri-tjetrit”, shprehen të burgosurit, të cilët pretendojnë se gardianët duhej ta kishin çuar në një ambient të monitoruar, veçanërisht pas ngjarjes së 16 gushtit, kur ai kishte tentuar t’i jepte fund jetës duke u prerë.

Familjarët, sipas dëshmive të tyre, ende nuk kanë marrë informacion të plotë për atë që ka ndodhur dhe po kërkojnë të flasin me persona që mund t’u japin sqarime për ngjarjen.

Edhe për sa i përket përfaqësimit diplomatik, të burgosurit pretendojnë se ambasadat nuk janë interesuar për situatën. Familja është vënë në dijeni për vdekjen përmes lajmit të publikuar nga JOQ, por, sipas tyre, ende nuk ka marrë një shpjegim të qartë se si dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur ngjarja.

“Familja është në dijeni nga lajmi, por se si ka ndodhur nuk di gjë. Më vjen gjynah, sepse ka qenë djalë shumë i mirë”, është një nga dëshmitë e përcjella nga të burgosurit shqiptarë.

Rasti pritet të hetohet nga autoritetet spanjolle për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes dhe nëse janë respektuar procedurat dhe protokollet e sigurisë dhe të trajtimit të të burgosurit pas tentativës së tij të mëparshme për vetëvrasje.

Deri në përfundimin e hetimeve zyrtare, pretendimet për shkelje të protokollit dhe përgjegjësinë e stafit të burgut mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit