Një pusetë pa kapak në rrugën e Rinasit po shkakton dëmtime të përsëritura të automjeteve që qarkullojnë në një nga akset më të frekuentuara të vendit, atë që të çon drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Një video e publikuar nga qytetari Kol Gjoka në llogarinë e tij në TikTok, e cila është bërë virale në rrjet, tregon situatën në rrugën e Rinasit, në afërsi të karburantit Alpet.
Në video shfaqet një automjet që ka pësuar dëmtim të gomës pasi ka kaluar mbi pusetën e pambuluar. Qytetari bisedon edhe me drejtuesin e mjetit, një shqiptar nga Kosova, i cili tregon se goma e tij është çarë pikërisht në të njëjtin vend.
“E cave dhe ti gomën?”, e pyet qytetari, ndërsa drejtuesi i përgjigjet: “Jemi prej Kosovës, në Kosovë nuk kemi kështu”.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një problem të shfaqur së fundmi, pasi i njëjti rast është denoncuar edhe më parë.
“Sapo e çau zotëria, e kemi denoncuar dhe vjet si rast”, shprehet qytetari në video, duke paralajmëruar se situata mund të ketë pasoja shumë më të rënda sesa dëmtimi i një gome.
“Duhet se s’bën me e rregullu urgjent”, thotë ai, ndërsa tregon pusetën e hapur dhe automjetet që vijojnë të kalojnë pranë saj.
Shqetësimi nuk lidhet vetëm me dëmet materiale. Sipas qytetarit, një automjet që përpiqet të shmangë pusetën në momentin e fundit mund të humbasë kontrollin ose të përfundojë në korsinë e kundërt, duke krijuar rrezik për përplasje me automjetet që vijnë përballë.
Për shkak të fluksit të madh të automjeteve në këtë aks, një pengesë e tillë e pambrojtur përbën rrezik jo vetëm për automjetet, por edhe për sigurinë e drejtuesve dhe pasagjerëve.
Qytetari u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë, jo vetëm për të shmangur dëmet e mëtejshme materiale, por mbi të gjitha për të parandaluar një aksident që mund të ketë pasoja shumë më të rënda.
Një kapak pusete mund të duket si një problem i vogël infrastrukture, por në një rrugë kaq të frekuentuar, mungesa e tij mund të kushtojë shumë më tepër se një gomë e çarë.