Mykonos: 18-vjeçarja italiane denoncon të riun nga Kosova për sulm seksual

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.08.2026, 21:09

Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e njohur turistik të Mykonosit në Greqi, ku autoritetet vendase kanë nisur hetimet pas denoncimit të një turisteje 18-vjeçare me shtetësi italiane. E reja ka akuzuar një 23-vjeçar nga Kosova për sulm seksual, duke pretenduar se ai ka përfituar nga gjendja e saj e rënduar për të kryer marrëdhënie pa pëlqimin e saj.

Sipas dëshmisë që 18-vjeçarja ka dhënë para hetuesve grekë, ngjarja ka ndodhur mbi një shezlong në ambientet e një nga beach bar-et më të frekuentuara të ishullit, ku ajo po kalonte kohë së bashku me të dyshuarin.

Ajo ka sqaruar se gjatë qëndrimit aty kishte konsumuar një sasi mjaft të madhe alkooli, gjë që e kishte çuar në një gjendje të pafuqishme fizike dhe mendore. Në dëshminë e saj, e reja theksoi se për shkak të efektit të alkoolit e ka pasur të pamundur të reagojë apo të kundërshtojë veprimet e të riut, i cili dyshohet se shfrytëzoi paaftësinë e saj për t'u mbrojtur.

Menjëherë pas denoncimit të bërë nga e dëmtuara, policia e Mykonosit ngriti një grup të posaçëm hetimor dhe nisi kërkimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Nëpërmjet verifikimeve operative dhe mbledhjes së provave në terren, efektivët arritën të bien në gjurmët e 23-vjeçarit me origjinë nga Kosova.

Ai u lokalizua dhe u prangos nga forcat e rendit në zonën e Platis Gialos. I arrestuari tashmë ndodhet në ambientet e paraburgimit dhe pritet të dalë përpara organeve kompetente gjyqësore për t'u njohur me masën e sigurisë, ndërsa hetimet e mëtejshme vijojnë për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave të këtij incidenti.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit