Para 11 ditësh, redaksia e JOQ Albania publikoi denoncimin e një qytetareje, e cila kishte humbur një unazë me vlerë të veçantë sentimentale në ambientet e Rossmann, në qendrën tregtare Ring Center.
Në atë kohë, qytetarja dispononte vetëm një foto të gruas që, sipas saj, kishte marrë unazën, ndërsa pamjet e kamerave ishin në dispozicion të policisë.
Tashmë, denoncuesja ka vënë në dispozicion të redaksisë edhe videon e momentit kur merret unaza.
Pamjet tregojnë qartë se unaza ndodhet në tokë dhe, pak çaste pasi ka rënë aksidentalisht nga qytetarja, gruaja afrohet, e merr dhe e vendos në një prej qeseve që mban me vete, përpara se të largohet nga ambienti.
Sipas denoncueses, personi në fjalë nuk e ka dorëzuar unazën te kasa, te stafi i dyqanit apo te sigurimi i qendrës tregtare. Ajo ka bërë disa herë thirrje që gruaja të kontaktojë dhe ta kthejë unazën, madje ka deklaruar se ofron edhe shpërblim, pasi për të ajo ka një rëndësi të veçantë sentimentale.
Por, edhe pas 11 ditësh nga publikimi i parë, denoncuesja thotë se nuk ka marrë asnjë kontakt nga gruaja dhe unaza ende nuk i është kthyer.
Për këtë arsye, këtë herë po publikojmë edhe pamjet e momentit të marrjes së unazës, me qëllim që personi të identifikohet dhe të kontaktojë për kthimin e saj.
Qytetarja thotë se disponon faturën e blerjes dhe certifikatën e unazës, ndërsa rasti është denoncuar edhe në polici.
Nëse dikush e njeh gruan që shfaqet në video ose ka informacion që mund të ndihmojë në kthimin e unazës, mund të kontaktojë redaksinë.