Një ngjarje e rëndë ka tronditur Ksamilin në kulmin e sezonit turistik, ku 20-vjeçari portugez, Luis Miguel Varela Mendes, mbeti i vrarë me armë të ftohtë në orët e para të mëngjesit të së hënës, më 18 gusht. I riu, i cili kishte zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet verore me një grup miqsh, do të kthehet i pajetë në atdhe pas një konflikti që përfundoi në tragjedi.
Ngjarja u zbulua rreth orës 05:15 pranë ambientit të resortit "Principote", ku trupi i pajetë i të riut u gjet mbi shezlongë. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 20-vjeçari ka pësuar disa goditje me thikë në shpinë dhe kraharor, të cilat i morën jetën menjëherë. Hetimet e para të policisë sugjerojnë se përleshja ka nisur për motive të dobëta pas një feste në zonë, ku një nga pistat kryesore lidhet me një konflikt për një vajzë.
Autor i dyshuar i vrasjes është 29-vjeçari Sokrat Vata, me origjinë nga Hasi, i cili punonte si roje plazhi në të njëjtin resort. Pas krimit, Vata u largua me shpejtësi, por u arrestua pas disa orësh kërkimesh në Levan të Fierit, ku po tentonte të fshihej brenda bagazhit të një automjeti që drejtohej nga një grua.
Sipas të dhënave të autoriteteve, Sokrat Vata ka një të kaluar kriminale në Britaninë e Madhe, ku është dënuar më parë me 5 vite burg për trafik droge dhe drejtim të rrezikshëm mjeti.
Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka vënë në pranga autorin e dyshuar si dhe ka shoqëruar e arrestuar 10 persona të tjerë, të cilët akuzohen për bashkëpunim dhe moskallëzim krimi. Vrasja e turistit të huaj ka rikthyer shqetësimet mbi nivelin e sigurisë në zonat më të frekuentuara turistike të Shqipërisë.