Fluksi i emigrantëve që po kthehen në Shqipëri ka sjellë trafik të rënduar në Rrugën e Arbrit, ku gjatë ditës së sotme janë regjistruar dy aksidente në segmentin Bulqizë–Fushë Bulqizë. Një prej aksidenteve ka ndodhur në zonën e Kastratit, ndërsa tjetri në vendin e njohur si “Pishat”.
Si pasojë e dy përplasjeve, tre persona kanë mbetur të lënduar. Një prej të plagosurave, një grua, është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.
Sipas mjekëve, gruaja ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, në segmentin Bulqizë–Fushë Bulqizë vijon të ketë trafik të rënduar, ndërsa pritet zbardhja e rrethanave të dy aksidenteve.