Një event muzikor i mbajtur pak ditë më parë në zonën e Drimadhës, ku ka performuar DJ i njohur turk Mahmut Orhan, ka bërë bashkë në një ambient të përbashkët përfaqësues të botës së krimit dhe persona nën hetim.
Ngjarja, e cila zgjati nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit te restorant "Moyo", u karakterizua nga një atmosferë garë-shpenzimesh, ku çmimet e rezervimit të tavolinave arritën deri në 6,000 euro, ndërsa faturat e pijeve luksoze si Dom Perignon dhe Cristal kapën shifra dyshifrore mijëra eurosh, kryesisht të paguara në para cash.
Në ambientet e eventit u panë biznesmenë, persona nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, eskorta luksi si dhe figura të tjera publike e të skemave të ndryshme financiare.
Për shkak të dyshimeve të forta se mund të merrnin pjesë persona në kërkim ose nën hetim penal, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe strukturave policore kanë vëzhguar zhvillimin e eventit.
Hetuesit kanë dokumentuar përmes fotografive dhe videove jo vetëm pjesëmarrësit dhe faturat e larta, por edhe mjetet luksoze me të cilat janë transportuar ata, me synim pasurimin e dosjeve hetimore ekzistuese.
Ngjarja ka vënë sërish në pah sfidën e hapur të institucioneve të drejtësisë përmes ekspozimit të luksit ekstrem në zonat turistike të vendit gjatë sezonit veror.