Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në burgun Lleida Ponent, në Katalonjë të Spanjës, ku një i burgosur është gjetur i vdekur. Sipas autoriteteve, dyshohet se ai i ka dhënë fund jetës.
Burime të brendshme të siguruara nga JOQ Albania bëjnë me dije se viktima dyshohet të jetë një i ri shqiptar nga veriu i Shqipërisë, me inicialet J.B. Identiteti dhe rrethanat e sakta të vdekjes pritet të konfirmohen zyrtarisht.
Sipas sindikatës SICAP-FEPOL, i burgosuri u gjet pa ndjenja, i varur në varëset e zonës së dusheve. Punonjësit e burgut e zbritën menjëherë dhe nisën reanimimin kardiopulmonar, ndërsa më pas mbërritën shërbimet mjekësore të institucionit dhe ekipet e Shërbimit të Emergjencave Mjekësore (SEM), të cilat konfirmuan vdekjen.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, disa të burgosur njoftuan punonjësit e burgut, të cilët aktivizuan menjëherë protokollin e emergjencës. Autoritetet bëjnë të ditur se i burgosuri nuk ishte pjesë e Protokollit për Parandalimin e Vetëvrasjeve.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te shqiptarët e tjerë që vuajnë dënimin në këtë burg. Sipas burimeve nga brenda institucionit, aty ndodhen rreth 50 shtetas shqiptarë, të cilët pretendojnë se përballen me zvarritje të proceseve gjyqësore, probleme me procedurat e dëbimit dhe mungesë informacioni për të drejtat e tyre.
Të dënuarit shprehen gjithashtu të shqetësuar për mungesën e kontaktit me përfaqësitë diplomatike shqiptare në Spanjë, duke kërkuar mbështetje ligjore dhe konsullore.
Ndërkohë, sindikata SICAP-FEPOL ka kritikuar gjendjen e sistemit penitenciar në Katalonjë dhe ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Çështjeve Penitenciare, Domingo Estepa Camacho, duke denoncuar mungesë personeli, probleme sigurie dhe mangësi serioze në menaxhim.