“Te lokalet që marrin ‘kafen’ lejohet muzika, të tjerët detyrohen ta fikin”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.08.2026, 00:12

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po zbatohet udhëzimi i ri për nivelin e zhurmave në zonën e Plazhit në Durrës.

Qytetari ka dërguar një video ku një subjekt buzë detit vijon të ketë muzikë me volum të lartë, ndërsa pretendon se bare dhe restorante të tjera në zonë detyrohen ta fikin muzikën që në orën 20:30.

“Kur merr lek shefi i postës së Plazhit, lejon muzikën. Restorantet, baret me muzikë sfondi që s’paguajnë ‘kafen’ detyrohen t’i fikin që në 8 e gjysmë”, shkruan denoncuesi.

Ai pretendon se kontrollet përsëriten vazhdimisht në zonë.

“Kjo punë ka që në tetë e gjysmë, kalojnë, bëjnë presion, fik muzikën. Ja dhe jashtë orarit, njësoj”, shprehet ai.

Por çfarë parashikon udhëzimi i ri?

Sipas udhëzimit të nënshkruar nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë, nga ora 11:00 deri në 20:00 niveli maksimal i lejuar i zhurmës është 65 decibel, ndërsa nga ora 20:00 deri në 24:00 kufiri zbret në 45 decibel.

Pra, pas orës 20:00 muzika mund të vijojë, por vetëm brenda kufirit të lejuar të zhurmës.

Në videon e dërguar në redaksi, muzika dëgjohet me volum të lartë, por niveli i saktë në decibel mund të përcaktohet vetëm përmes një matjeje me pajisje të posaçme.

Ajo që ngre pikëpyetje është pretendimi se disa biznese detyrohen ta fikin muzikën shumë përpara mesnatës, ndërsa të tjera vijojnë aktivitetin muzikor.

Akuzat për favorizime apo përfitime nga ana e punonjësve të policisë mbeten të paverifikuara. Megjithatë, denoncimi ngre një pyetje që institucionet duhet ta sqarojnë:

A po zbatohen njësoj rregullat dhe kufiri prej 45 decibelësh për të gjitha lokalet në Plazhin e Durrësit?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit