Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të përsëritur në Paskuqan, ku mjete të rënda të një kantieri ndërtimi bllokojnë rrugën kryesore gjatë punimeve.
Sipas denoncuesit, dy betonierë kanë qëndruar në mes të rrugës gjatë orëve të ditës, duke vështirësuar ndjeshëm kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Në pamjet e dërguara në redaksi shihen betonierët pranë kantierit, ndërsa automjetet e tjera detyrohen të kalojnë në një hapësirë të ngushtë mes mjeteve të rënda dhe zonës së punimeve.
Qytetari pretendon se në vendngjarje nuk kishte persona që të koordinonin trafikun apo të orientonin qytetarët gjatë kalimit.
“Në Paskuqan as nuk pyesin fare. Në mes të drekës betonierët në mes të rrugës, as komandim nga dikush që të udhëzojë qytetarët. Dy betonierë bllokojnë rrugën sikur ta kenë pronë të vet.”
Sipas tij, situata krijon rrezik për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, veçanërisht për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe koordinimit me trafikun.
Denoncuesi shpreh gjithashtu shqetësimin për mënyrën se si zhvillohen punimet në zonat urbane, duke pretenduar se interesat e kantierëve shpesh vendosen përpara sigurisë dhe qarkullimit të qytetarëve.
JOQ Albania publikon pamjet dhe shqetësimin e qytetarit, ndërsa mbetet e hapur për një reagim nga subjektet përgjegjëse për punimet dhe institucionet që mbikëqyrin menaxhimin e trafikut dhe sigurinë në këtë zonë.