U shkrumbua nga flakët, autobusit i mbeten vetëm hekurat: 52 turistët shpëtuan në kohë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.08.2026, 16:26

Një autobus me 52 turistë të huaj është përfshirë nga flakët këtë të martë në Qafën e Kalasë në Berat, teksa po ngjitej në drejtim të zonës muzeale. Mes pasagjerëve ndodheshin edhe fëmijë, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk ka pësuar lëndime.

Sipas të dhënave paraprake, autobusi me targa AB 917 UE ka shfaqur fillimisht shkëndija në pjesën e motorit. Shoferi ka konstatuar problemin dhe ka ndaluar menjëherë mjetin, duke bërë të mundur zbritjen e të gjithë pasagjerëve përpara se flakët të përfshinin autobusin.

Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse, zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka shkrumbuar plotësisht autobusin. Flakët kanë dëmtuar gjithashtu një automjet tip “Benz” fuoristradë, i cili ishte parkuar pranë një banese. Pronari nuk ka mundur ta largojë mjetin në kohë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta zjarrfikëse dhe efektivë të policisë, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për përcaktimin e rrethanave dhe shkakut të zjarrit. Dyshimet paraprake janë për një defekt elektrik në pjesën e motorit.

Ndërkohë, drejtuesi i autobusit, me origjinë nga Durrësi, është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur kombësinë e turistëve që udhëtonin në autobus.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit