Një burrë në Kinë është kthyer në hero pasi shpëtoi një foshnjë që rrezikonte të binte nga dritarja e katit të dytë.
Pasi dëgjoi të qarat e fëmijës, ai nuk hezitoi të ndërhynte. Burri u ngjit nga kangjellat e ndërtesës, pa bluzë, dhe iu afrua dritares ku ndodhej foshnja.
Fëmija kishte ngecur me kokën mes hekurave mbrojtëse të dritares, ndërsa trupi i tij varej jashtë, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të një rënieje nga lartësia.
Me shumë kujdes, burri arriti ta kapte dhe ta nxirrte foshnjën nga pozicioni i rrezikshëm, duke i shpëtuar jetën.
Sipas raportimeve, prindërit nuk i kishin dëgjuar të qarat e fëmijës dhe e kuptuan situatën vetëm më vonë.
Fatmirësisht, foshnja nuk pësoi asnjë dëmtim. Ndërhyrja e shpejtë e burrit bëri që një moment që mund të përfundonte në tragjedi të mbyllej me një fund të lumtur.