Në spitalin e Mitrovicës foshnja lind mbi 5 kilogramë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 18.08.2026, 15:37

Një rast i veçantë është shënuar në Repartin e Gjinekologjisë të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku është realizuar me sukses një lindje natyrale e një foshnjeje me peshë mbi pesë kilogramë.

Sipas njoftimit të spitalit, foshnja ka ardhur në jetë me peshë 5 kilogramë e 50 gramë, ndërsa ka pasur gjatësi prej 65 centimetrash. Spitali e ka cilësuar rastin si të veçantë, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e stafit shëndetësor që u kujdes për nënën dhe foshnjën gjatë procesit të lindjes.

“Kjo lindje natyrale u realizua falë përkushtimit dhe kujdesit të vazhdueshëm të mjekëve dr. Vjollca Çitaku dhe dr. Bajram Drevinja, si dhe ekipit të mamive dhe infermiereve”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës.

Në ekipin që mori pjesë në proces ishin edhe mamitë dhe infermieret Nazmije Gruda, Selvete Voca dhe Shengyl Xhaka.

Nga spitali theksojnë se rasti përbën një moment të veçantë për institucionin dhe, sipas tyre, “dëshmon profesionalizmin, përkushtimin dhe kujdesin e lartë të ekipit shëndetësor gjatë gjithë procesit”.

Spitali ka përcjellë urimet për nënën dhe familjen, ndërsa foshnjës i ka uruar shëndet dhe jetë të gjatë.

“Urime të përzemërta nënës dhe familjes! Foshnjës i urojmë shëndet të plotë dhe jetë të gjatë!”, përfundon njoftimi i spitalit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit