Tre dekada më parë, shqiptarët mbërrinin në Itali kryesisht në kërkim të një pune. Sot, një pjesë e tyre nuk janë më thjesht pjesë e fuqisë punëtore, por edhe pronarë, administratorë dhe drejtues kompanish.
Një raport i ri për sipërmarrjen shqiptare në Puglia tregon përmasat e këtij ndryshimi. Në fund të vitit 2025, në bizneset aktive të rajonit rezultonin 1,734 persona të lindur në Shqipëri me role aktive në kompani.
Nga këta, 1,051 ishin pronarë, 583 administratorë ose drejtues dhe 80 ortakë. Me fjalë të tjera, pjesa dërrmuese nuk është thjesht e punësuar, por ka një rol në pronësi apo në vendimmarrjen e kompanive.
Rritja gjatë dekadës së fundit është e dukshme. Në vitin 2015 numëroheshin 989 shqiptarë me pozicione biznesi në Puglia, ndërsa në 2020 ishin 1,269. Në fund të 2025-s shifra arriti në 1,734, rreth 75% më shumë se dhjetë vjet më parë.
Veçanërisht e fortë ka qenë rritja pas vitit 2020. Mbi 55% e shqiptarëve që sot rezultojnë në këto pozicione janë regjistruar gjatë gjashtë viteve të fundit.
Ndryshimi nuk është vetëm në numër, por edhe në mënyrën e të bërit biznes. Aktivitetet individuale mbeten më të përhapurat, por shqiptarët në shoqëritë e kapitalit janë pothuajse trefishuar: nga 167 në vitin 2015 në 491 në vitin 2025.
Ndërtimi është ende sektori ku prania shqiptare është më e madhe, por komuniteti është shtrirë edhe në tregti, gastronomi, transport, shërbime, industri ushqimore, hoteleri dhe bujqësi.
Edhe sipërmarrja e grave shqiptare është rritur ndjeshëm. Nga 224 gra me pozicione në biznes në vitin 2015, numri ka shkuar në 403 në 2025.
Një tjetër detaj interesant është gjeografia. Bari dhe zona BAT përqendrojnë më shumë se gjysmën e kësaj pranie, por qyteti me numrin më të madh është Altamura, me 260 shqiptarë në pozicione biznesi.
Raporti nxjerr në pah edhe peshën e komunitetit në tregun e punës. Gjatë vitit 2025 u aktivizuan afro 19 mijë kontrata pune për shtetas shqiptarë dhe malazezë në Puglia, pjesa dërrmuese e të cilave u takon shqiptarëve.
Këto shifra tregojnë një histori që shkon përtej emigracionit.
Shqiptarët në Itali nuk janë më vetëm krahu i punës që u largua nga Shqipëria në vitet ’90. Një pjesë e tyre tashmë janë futur në nivelet e pronësisë, menaxhimit dhe sipërmarrjes.
Nga 989 në 1,734 në vetëm dhjetë vjet. Ky është një tjetër tregues i mënyrës se si ka ndryshuar komuniteti shqiptar në Itali.