Policia e Tiranës ka arrestuar një nga personat e dyshuar për grabitjen me armë të argjendarisë “Luani” në Paskuqan. Në pranga ka përfunduar Argys Kalsi, i cili u kap në Qafë Thanë, teksa dyshohet se po tentonte të largohej nga Shqipëria.
Sipas burimeve, i riu ishte identifikuar prej disa ditësh nga hetuesit si një prej autorëve të dyshuar të grabitjes. Policia kishte vendosur ta mbante nën vëzhgim, duke ndjekur lëvizjet e tij dhe duke mbledhur prova, me qëllim identifikimin dhe kapjen edhe të personit tjetër të përfshirë në ngjarje.
Kalsi u arrestua në momentin që tentoi të kalonte kufirin në Qafë Thanë.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e autorit të dytë të dyshuar. Në kuadër të hetimeve, më 10 gusht policia gjeti të hedhur në një liqen në Zall-Herr motorin që dyshohet se është përdorur nga dy grabitësit për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Pas grabitjes, ata dyshohet se kanë përdorur rrugët periferike të Kamzës për të shmangur akset kryesore.
Ngjarja ndodhi më 5 gusht. Dy persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov hynë në argjendari, kërcënuan punonjësen dhe morën sende floriri me vlerë rreth 1.5 milionë lekë.
Hetuesit dyshojnë se njëri prej autorëve mund të ketë shkuar në argjendari disa ditë para grabitjes, duke u paraqitur si klient, me qëllim që të merrte informacion mbi ambientin dhe vendndodhjen e bizhuterive.