Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 05:00 të mëngjesit të së martës në aksin Maliq–Pogradec, pranë fshatit Sovjan.
Në përplasjen e fortë janë përfshirë një autoambulancë e Spitalit të Korçës dhe një automjet tip “Nissan”, me targa greke. Sipas të dhënave paraprake, autoambulanca ka humbur kontrollin dhe është përplasur me automjetin tjetër.
Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur drejtuesi i “Nissan”-it, një emigrant shqiptar i cili sapo ishte kthyer në vendlindje për pushime. Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës dhe, sipas burimeve spitalore, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Fatmirësisht, në autoambulancë nuk kishte pacientë në momentin e përplasjes, ndërsa drejtuesi i saj nuk ka pësuar lëndime serioze. Të dyja automjetet kanë marrë dëme të konsiderueshme materiale.
Në vendngjarje ka mbërritur policia, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit.