Një shqetësim i përsëritur nga banorët e Yzberishtit ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një grua denoncon një grup adoleshentësh, të cilët sipas saj janë kthyer në problem për zonën.
Denoncuesja pretendon se të rinjtë, të moshës 15–18 vjeç, mblidhen në zonë gjatë orëve të mbrëmjes, konsumojnë alkool dhe lëndë narkotike dhe mbajnë me vete edhe mjete të mprehta.
Në videon e dërguar në redaksi shihen disa të rinj poshtë pallateve, ndërsa në një moment ndezin një zjarr. Më pas ata e shuajnë dhe nisin të vrapojnë e të ndjekin njëri-tjetrin.
Sipas gruas, në një prej pamjeve njëri prej të rinjve mban në dorë një mjet të mprehtë, për të cilin ajo pretendon se është një sëpatë e llojit që përdoret për prerjen e mishit.
“Është e njëjta histori çdo natë dhe policia nuk vjen fare të marrë masa. Sot e kam marrë 2-3 herë dhe nuk vjen njeri”, shkruan denoncuesja.
Ajo shprehet se situata ka krijuar frikë dhe shqetësim te banorët dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Pretendimet për konsumimin e lëndëve narkotike, si dhe identifikimi i mjetit të mbajtur në dorë nga një prej të rinjve, mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet.