Një fyerje e hapur ndaj inteligjencës dhe hallit të qytetarëve! Kështu mund të cilësohet postimi më i fundit i Policisë Bashkiake të Tiranës në rrjetet sociale, ku me një cinizëm të pashoq publikon me gëzim gjobat e vendosura te dyert e Maternitetit "Mbretëresha Geraldinë", të shoqëruara me leksione hipokrizie se "Trotuari nuk është vendparkim!".
Po cilët po ndëshkon me aq krenari kjo polici? Fotot e publikuara nga vetë ato tradhtojnë skenën: makina të parkuara me ngut nga burra e familjarë që po dërgojnë gratë e tyre për të lindur, apo që po vrapojnë midis jetës dhe vdekjes në një urgjencë mjekësore. Në vend që të ofrojë zgjidhje apo të tregojë minimumin e humanizmit për një qytetar që përballet me minutat e ankthit te spitali, bashkia zgjedh të vendosë fletën e gjobës mbi xham dhe ta shesë këtë grabitje si "zbatim ligji" e "mbrojtje të hapësirës publike".

Kjo maskaradë bëhet akoma më e neveritshme kur sheh standardin e dyfishtë që sundon në kryeqytet:
Zell i pashpirt ndaj urgjencave: Sulmohen dhe gjobiten qytetarët që nuk kanë as kohë e as vend ku të parkojnë për t'u futur në spital, vetëm për të mbushur kuotat e gjobave dhe për të bërë propagandë në Facebook.
Verberi selektive para "të fortëve": Pak kilometra më tutje, në zonën e Bllokut apo përpara lokaleve luksoze, xhipat e blinduar dhe makinat e shtrenjta pushtojnë rregullisht trotuaret, korsitë e biçikletave dhe çdo hapësirë publike. Por atje "syri i mprehtë" i Policisë Bashkiake çuditërisht verbohet dhe askush nuk guxon të afrojë bllokun e gjobave.
Është e turpshme që policia e një qyteti të përdorë hallin dhe lindjen e fëmijëve si aksion për reklamë propagandistike. Qytetarët e Tiranës nuk kanë nevojë për polici që bën "fortin" me njerëzit në dyert e spitaleve dhe ngre të pasmet para luksit në Bllok!