Aksionet e grupit hungarez 4iG, i cili zotëron 100% të kompanisë "One Albania", pësuan një rënie drastike prej 14.5% gjatë ditës së sotme në bursën e Budapestit. Zhvlerësimi i menjëhershëm erdhi pas deklaratave të ashpra politike nga Hungaria, ku kompania u cilësua si një nga shtyllat e oligarkisë dhe mbështetëse e marrëveshjeve të dyshimta me pushtetin.
Cilësuar nga Bloomberg si një nga grupet më të rrezikuara nga falimentimi, 4iG ka humbur mbi 18.5% të vlerës vetëm gjatë pesë ditëve të fundit. Në mbyllje të tregtimit, çmimi i aksioneve ra nën 1590 forinta, nga 1700 që ishte në hapje, duke thelluar krizën e besimit ndaj këtij gjiganti të telekomunikacionit.
Hijet mbi Shqipërinë dhe lidhjet me Bashkinë e Tiranës
Tronditja e financave të 4iG pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në tregun shqiptar. "One Albania" është e ekspozuar masivisht në sistemin bankar vendas, duke përfshirë këtu edhe kredi të mëdha me vlerë rreth 40 milionë euro të nënshkruara së fundmi, gjë që mund të krijojë efekte zinxhir në stabilitetin financiar në vend.
Lidhja e grupit 4iG me Shqipërinë shtrihet përtej operatorit celular, duke prekur drejtpërdrejt edhe projekte madhore publike në kryeqytet. Grupi hungarez është përfolur për bashkëpunime strategjike dhe marrëveshje teknologjike me Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin e saj, Erion Veliaj. Projektet e dikurshme të prezantuara nga Veliaj për digjitalizimin e shërbimeve të kryeqytetit dhe infrastrukturën e "Smart City" mbështeteshin gjerësisht në partneritetin me 4iG.
Me nisjen e hetimeve dhe tërheqjen e mbështetjes shtetërore në Hungari, dyshimet mbi fryrjen e kontratave dhe favorizimin e këtij grupi oligarkik rëndojnë tashmë edhe mbi bashkëpunimet e realizuara në Tiranë. Nëse parashikimet për falimentimin e 4iG materializohen, Shqipëria nuk do të përballet vetëm me pasojat në tregun celular, por edhe me dështimin e projekteve publike të lidhura me pushtetin lokal.