“Do ju shuaj si fis”, zbardhet dëshmia e Rozalindës, Refit Buzi e kërcënonte prej kohësh

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 17.08.2026, 18:27

Detaje të reja të bëra publike nga raportimet në media hedhin dritë mbi historinë e konfliktit mes Refit Buzit dhe ish-të fejuarës së tij, Rozalinda Plaka, disa muaj para ngjarjes së rëndë që tronditi Fierin.

Në korrik, Buzi shkoi në banesën e familjes Plaka në Vidhishtë, ku qëlloi për vdekje prindërit e ish-të fejuarës së tij dhe më pas mori Rozalindën peng për disa orë. Pas negociatave me policinë, ai e liroi 23-vjeçaren, ndërsa më pas i dha fund jetës brenda automjetit të tij.

Sipas raportimeve të mediave, konflikti mes çiftit kishte nisur shumë më herët. Ata ishin ndarë pas një periudhe të gjatë lidhjeje, por Buzi vijonte t’i kërkonte ish-partneres të riktheheshin bashkë, pavarësisht refuzimit të saj.

23-vjeçarja e kishte denoncuar më herët për përndjekje dhe Buzi kishte vuajtur disa muaj burg. Megjithatë, sipas të dhënave të bëra publike, menjëherë pas daljes nga burgu, më 19 mars, ai kishte nisur sërish ta kontaktonte, edhe pse ndaj tij ishte vendosur një urdhër mbrojtjeje.

Në një kallëzim të bërë më 22 prill, e reja kishte treguar se ish-i fejuari i dilte vazhdimisht përpara pranë Urgjencës së Spitalit Rajonal të Fierit, ku ajo kryente praktikën si infermiere, si dhe në ambiente të tjera ku ajo qëndronte.

Sipas dëshmisë së saj, në një rast Buzi e kishte marrë me automjet dhe e kishte çuar drejt një hoteli në Novoselë. Aty, sipas kallëzimit, ai e kishte kërcënuar duke përdorur edhe vetëvrasjen si presion ndaj saj.

Në një tjetër moment, sipas të dhënave të bëra publike nga mediat, ai i kishte vendosur edhe kushte për vazhdimin e marrëdhënies, duke mos pranuar ndarjen dhe duke e kërcënuar se do të kishte pasoja për familjarët e saj.

Mesazhet dhe komunikimet mes tyre u bënë më pas pjesë e hetimit. Pas një denoncimi tjetër, policia e Fierit e arrestoi sërish Buzin, ndërsa nga telefonat e sekuestruar u gjetën, sipas raportimeve, dhjetëra komunikime, telefonata dhe mesazhe zanore me përmbajtje kërcënuese dhe fyese.

Në një deklarim të bërë gjatë hetimit, Buzi kishte pranuar se kishte kontaktuar ish-partneren edhe pse e dinte se ndaj tij kishte një urdhër mbrojtjeje, duke pretenduar se ende kishte ndjenja për të dhe dëshironte të rikthehej me të.

Pak muaj më vonë, konflikti do të përshkallëzohej në mënyrë tragjike, duke përfunduar me vrasjen e dy prindërve të Rozalindës, marrjen peng të saj dhe më pas vetëvrasjen e Buzit.

Ndërsa familjarët e autorit kanë pretenduar se konflikti lidhej edhe me një shumë të madhe parash, rrjedha e ngjarjeve të bëra publike nga autoritetet dhe mediat tregon se përplasja mes ish-çiftit kishte nisur shumë më herët dhe ishte shoqëruar me episode të përsëritura përndjekjeje, kërcënimesh dhe refuzimi të ndarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit