Pamje të tjera kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga aksidenti i ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Shëngjin–Lezhë, ku dy automjete u përplasën “kokë më kokë”.
Në pamjet e siguruara shihen disa qytetarë që ndodheshin rastësisht pranë vendit të aksidentit dhe që janë afruar menjëherë për t’u ardhur në ndihmë personave të përfshirë në përplasje.
Të dy automjetet kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme nga përplasja, ndërsa në njërin prej tyre dera e shoferit ishte bllokuar. Brenda mjetit ndodhej drejtuesja, e cila nuk mund të dilte vetë nga automjeti.
Qytetarët janë afruar dhe kanë ndihmuar që drejtuesja të nxirrej nga makina, duke qëndruar pranë saj deri në momentin kur u bë i mundur transportimi i saj për ndihmë mjekësore.
Një moment solidarizimi i dëshmitarëve të rastësishëm, të cilët në vend që të qëndronin vetëm si spektatorë, u afruan për të ndihmuar një person të përfshirë në aksident.
Nga përplasja kanë mbetur të lënduar katër persona, mes tyre edhe dy fëmijë, ndërsa të plagosurit janë nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ekzaminime dhe trajtim të mëtejshëm.