Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Shëngjin–Lezhë, ku dy automjete janë përplasur “kokë më kokë”.
Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë mbetur të lënduar, mes tyre edhe dy fëmijë. Të plagosurit janë transportuar për ndihmë mjekësore dhe, sipas informacioneve paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Për shkak të gjendjes së tyre, të katër të lënduarit janë nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve dhe trajtimit të specializuar.
Ndërkohë, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur pamje nga vendngjarja, ku shihen dy automjetet e përfshira në përplasje, të cilat kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme, veçanërisht në pjesën e përparme.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit, dinamikën e përplasjes dhe shkakun që çoi në të.