Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë rreth orës 05:30 të mëngjesit të kësaj të diele, një resort, përgjatë rrugës Sarandë–Syri i Kaltër. Flakët kanë përfshirë të gjithë resortin, duke e shkrumbuar thuajse plotësisht. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa përmasat e dëmeve materiale janë të konsiderueshme.
Për momentin nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Pritet që hetimet dhe verifikimet në vendngjarje të përcaktojnë rrethanat e ngjarjes dhe origjinën e flakëve. Resorti ishte ndërtuar rreth tre vite më parë dhe konsiderohej një prej investimeve të rëndësishme turistike në zonën e Mesopotamit, duke u kthyer në një pikë të njohur përgjatë aksit që lidh Sarandën me Syrin e Kaltër.
Zjarri në resortin e Sarandës vjen në një mëngjes të shoqëruar nga një tjetër incident i rëndë, ai në një hotel në Lungomaren e Vlorës. Nga zjarri në Vlorë janë lënduar 6 persona, 5 prej të cilëve janë transportuar për trajtim në Tiranë, ndërsa dy prej tyre raportohen me djegie të rënda. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e të dyja ngjarjeve.