Një pushues nga Polonia ka rrëfyer momentet e panikut gjatë zjarrit që përfshiu hotelin Brooklyn në Lungomaren e Vlorës. Ai tregon se gjithçka ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit, kur pushuesit u zgjuan pasi nuhatën një erë të çuditshme dhe dëgjuan të bërtitura brenda godinës.
“U zgjuam natën, nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura. U hodhëm nga dritarja, thirrëm për ndihmë. Kaq. Jam nga Polonia. Ora ishte rreth 4 e mëngjesit”, tregon pushuesi, duke përshkruar momentet e frikshme kur ai dhe të tjerë u përpoqën të shpëtonin nga flakët dhe tymi.
Zjarri përfshiu godinën në Lungomare, ku ndodhej edhe hoteli, ndërsa disa prej pushuesve u detyruan të dilnin nga dritaret për t’i shpëtuar rrezikut. Si pasojë e ngjarjes, 7 persona u transportuan në Spitalin e Vlorës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e zjarrit.