Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin Fier–Lushnje, në vendin e quajtur Ura e Mbrostarit.
Në përplasjen e fortë janë përfshirë një automjet tip Fiat dhe një automjet tip Volkswagen. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur drejtuesi i njërit prej mjeteve dhe pasagjeri, i cili është djali i tij i mitur.
Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e aksidentit.
Ndërkohë, vijon puna për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.