U kap me 38 kg kokainë, violinisti shqiptar: Nuk e kuptoj çfarë kam bërë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.08.2026, 17:00

Një violinist shqiptar është vënë në pranga në Francë, pasi autoritetet i gjetën më shumë se 38 kilogramë kokainë të fshehur në makinën me të cilën po udhëtonte drejt Italisë.

Bëhet fjalë për 45-vjeçarin Beng Bakalli, i cili u ndalua në La Turbie. Gjatë kontrollit të automjetit, policia zbuloi dy hapësira të maskuara në dyshemenë e një Citroën C5 Aircross, ku ishte fshehur droga. Sipas vlerësimeve të autoriteteve, sasia e sekuestruar arrin një vlerë prej rreth 2 milionë eurosh në tregun e paligjshëm.

Përpara gjykatës, Bakalli ka treguar se si, sipas tij, përfundoi i përfshirë në këtë transport. Mediat franceze raportojnë se ai ka pranuar se kishte rënë dakord ta dërgonte drogën kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh.

Ai ka deklaruar se ishte kontaktuar për këtë udhëtim nga persona që kishte njohur gjatë një qëndrimi në Shqipëri. 45-vjeçari ka mohuar të jetë kërcënuar apo detyruar, ndërsa ka thënë se nuk kishte informacion të plotë mbi të gjithë personat që qëndronin pas transportit.

Problemet për të nuk përfunduan me sekuestrimin e kokainës. Pas arrestimit, policia kontrolloi edhe banesën e tij në Franche-Comté. Gjatë kontrollit u gjetën katër armë zjarri, një jelek antiplumb, qindra fishekë si dhe 88,900 euro cash.

Bakalli ka dhënë shpjegime edhe për këto gjetje. Për armët, ai është shprehur se i posedonte në kuadër të aktivitetit të tij si qitës sportiv, ndërsa për paratë ka pretenduar se i kishte marrë nga babai i tij.

Prokuroria franceze nuk është bindur nga deklarimet e tij dhe ka kërkuar që ai të qëndrojë në paraburgim. Sipas akuzës, pesha e drogës dhe mënyra e organizuar e fshehjes së saj përbëjnë elemente që e bëjnë çështjen veçanërisht të rëndë.

Në fund të seancës, Bakalli ka shprehur pendesë përpara gjykatës, duke thënë se tashmë e kupton pasojat e veprimeve të tij: “Nuk mund ta kuptoj madhësinë e asaj që kam bërë. E kuptoj që do të humbas gjithçka”.

Seanca e radhës pritet të zhvillohet në tetor. Nëse shpallet fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet, violinisti shqiptar rrezikon deri në 10 vite burgim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit