Ura e Rubikut në Mirditë, që lidh qytetin me disa fshatra përreth dhe me Rrugën e Kombit, është kthyer në një problem serioz për banorët. Struktura e urës mbi lumin Fan paraqet dëmtime të dukshme, ndërsa këmbët mbajtëse kanë dalë në sipërfaqe dhe janë anuar në disa pika, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e saj.
Banorët shprehen se gjendja e urës është përkeqësuar ndër vite për shkak të mungesës së ndërhyrjeve dhe mirëmbajtjes. E ndërtuar në vitet 1986–1987, ajo sot paraqet shenja të dukshme amortizimi, ndërsa dëmtimet e strukturës janë bërë më të dallueshme edhe për shkak të nivelit të ulët të ujit në lumin Fan.
Ura është në varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Pas konstatimit të dëmtimeve, ARRSH i ka kërkuar Bashkisë Mirditë hapjen e unazës verilindore të Rubikut, në mënyrë që të krijohet mundësia për mbylljen e urës dhe kryerjen e rikonstruksionit.
Pavarësisht dakordësimit mes institucioneve, deri tani punimet për hapjen e unazës nuk kanë nisur. Ndërkohë, ura vijon të përdoret çdo ditë nga banorët dhe drejtuesit e automjeteve.
Për qytetin e Rubikut dhe fshatrat përreth, kjo nuk është thjesht një urë, por një lidhje jetike me Rrugën e Kombit. Çdo përkeqësim i mëtejshëm i gjendjes së saj rrezikon të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për lëvizjen e banorëve dhe sigurinë e tyre.
