I njohur në skenat prestigjioze, violinisti shqiptar kapet me 38 kg kokainë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.08.2026, 10:24

Një violinist profesionist me origjinë shqiptare është vënë në qendër të një çështjeje të rëndë penale në Francë, pasi u arrestua me 38.3 kilogramë kokainë të fshehur në automjetin e tij.

B. B., 45 vjeç, u ndalua nga doganierët në pikën e pagesës së La Turbie, ndërsa po udhëtonte në drejtim të Italisë me një Citroën C5 Aircross.

Gjatë kontrollit, doganierët vunë re një parregullsi nën tapetin e sediljes së pasagjerit. Dyshimi i tyre çoi në një kontroll më të thelluar, ku u zbuluan dy hapësira të modifikuara në dyshemenë e automjetit. Brenda tyre ishin fshehur 38.3 kilogramë kokainë.

Sipas autoriteteve doganore franceze, vlera e drogës nëse do të shitej me pakicë arrinte në rreth 1.14 milionë euro.

Përpara gjykatës, 45-vjeçari pranoi se kishte pranuar të transportonte drogën kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh.

Ai deklaroi se ishte përfshirë në këtë aktivitet përmes disa njohjeve të krijuara gjatë një udhëtimi në Shqipëri. Megjithatë, mohoi se kishte vepruar nën kërcënim apo presion.

B. B. është anëtar i orkestrës simfonike Victor-Hugo Bourgogne Franche-Comté dhe ka një karrierë si violinist profesionist, me performanca edhe në ambiente prestigjioze.

Por hetimi mori një tjetër drejtim pas kontrollit të banesës së tij.

Në shtëpinë e 45-vjeçarit, autoritetet gjetën katër armë zjarri, dy pushkë, një jelek antiplumb dhe qindra fishekë.

Hetuesit zbuluan gjithashtu 88.900 euro cash. Paratë ishin kryesisht në kartëmonedha 50-euroshe dhe ishin të ndara e të mbështjella me plastikë.

I pyetur për armët, violinisti tha se ishte i regjistruar si qitës sportiv, ndërsa për shumën e parave deklaroi se ato i kishte marrë si dhuratë nga babai i tij. Megjithatë, sipas hetuesve, disa prej armëve nuk rezultonin të deklaruara.

Prokurorja Sabine Néale vuri në pikëpyetje shpjegimet e të pandehurit, duke iu referuar jo vetëm sasisë së drogës, por edhe mënyrës së organizuar të fshehjes së saj dhe gjetjeve në banesë.

Ajo i kërkoi gjykatës të mos ndikohej nga profili publik i 45-vjeçarit si muzikant dhe profesionist i integruar. Sipas prokurorisë, pas këtij imazhi mund të fshihej një aktivitet kriminal i organizuar dhe profesional.

Në përfundim të seancës, para se gjykata të tërhiqej për të marrë vendimin, B. B. tha me zë të ulët:

“E kuptoj se do të humbas gjithçka.”

Avokatja e tij kërkoi lirimin e klientit deri në zhvillimin e gjyqit, duke vënë në dukje karrierën e tij muzikore, integrimin në shoqëri dhe mungesën e precedentëve penalë.

Gjykata vendosi ndryshe dhe urdhëroi që violinisti të qëndrojë në paraburgim.

Ai do të dalë në gjyq në tetor. Nëse shpallet fajtor për veprën për të cilën akuzohet, ai përballet me një dënim deri në 10 vite burgim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit