Euro prek minimumin historik

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 15.08.2026, 07:42

Euro e mbylli javën në rënie, duke prekur një minimum të ri historik prej 92.85 lekësh, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Që nga fillimi i vitit, monedha europiane është zhvlerësuar me 4.1%, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rënia ka arritur në 4.4%. Agjentët e tregut e lidhin dobësimin e Euros kryesisht me prurjet e shtuara valutore gjatë sezonit turistik, ndërsa hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 6.2% në gjashtëmujorin e parë.

Presionet mbiçmuese ndaj Lekut janë mbështetur edhe nga përmirësimi i bilancit të jashtëm. Në tremujorin e parë, deficiti i llogarisë korrente ra me 28%, në 228 milionë euro, ndërsa investimet e huaja direkte arritën rekord 404 milionë euro, me rritje 11.6% vjetore. Banka e Shqipërisë vlerëson se këto zhvillime kanë rritur ofertën e valutës në tregun vendas. Ndërkohë, mbetet i fortë perceptimi publik se në forcimin e Lekut ndikojnë edhe prurje valutore nga aktivitetet informale ose kriminale, veçanërisht ato që investohen në pasuri të paluajtshme.

Forcimi i Lekut po mbështetet gjithashtu nga politika fiskale, me suficitin buxhetor që në gjashtëmujorin e parë të vitit arriti rekord 52.8 miliardë lekë, 60% më shumë se një vit më parë. Banka e Shqipërisë po ndërhyn në treg duke blerë valutë për të zbutur mbiçmimin e Lekut. Që nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë 2026, ajo ka tërhequr nga tregu rreth 2.2 miliardë euro, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të këtij viti bleu 140 milionë euro. Megjithatë, ndërhyrjet nuk kanë arritur ta frenojnë plotësisht rënien e Euros.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit