Prokuroria e Tiranës ka vendosur të rihapë hetimet për një nga ngjarjet më të rënda e më të bujshme të viteve '90, vrasjen barbare të studentes 20-vjeçare Kozeta Hyseni. Vrasja e mbetur pa autor prej gati tre dekadash po i nënshtrohet një verifikimi të ri hetimor, ku po kërkohet rimarrja në pyetje e 28 personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen apo që janë përmendur në dosjen e vjetër.
Vajza e një ish-prokurori të njohur nga Vlora u gjet e masakruar me gurë në kokë më 19 shkurt 1999, pranë kinoklubit në Qytetin Studenti, vetëm pak orë pasi ishte nxjerrë me marifet nga dhoma e saj e konviktit.
Sipas materialeve zyrtare, organet e akuzës u kanë dërguar shkrime disa drejtorive vendore të policisë për të lokalizuar dhe marrë në pyetje një listë të gjatë personash. Mes tyre përfshihen:
Oficerët e hetimit: Dy nga hetuesit që u morën me dosjen në vitin 1999.
Shoqet e dhomës: Dëshmitaret kryesore që ndodheshin me viktimën natën e ngjarjes në Godinën 25, shtetaset Mirela Metaj, Valbona Kasaj dhe Kozeta Bushi.
Të afërmit e Agim Karafilit: I dyshuari i parë i shoqëruar pas ngjarjes, me të cilin viktima përflitej se kishte një lidhje. Karafili, i cili rezulton të jetë vrarë vite më vonë, në atë kohë u lirua pasi alibina e tij u konfirmua nga familjarët.
Shtetas të tjerë: Dritan Gjika, si dhe Indrit Dule bashkë me të afërmit e tij. Ky i fundit në hetimet e para kishte deklaruar se natën e krimit ndodhej për vizitë te e fejuara.
Mbrëmjen e 18 shkurtit 1999, rreth orës 23:40, një vajzë ende e paidentifikuar njoftoi shoqen e dhomës së Kozetës në Godinën 25 se dikush po e kërkonte studenten poshtë konviktit.
Kozeta doli fillimisht në ballkonin e dhomës 418 por nuk pa njeri. Ajo vendosi të zbriste për të parë se kush e kërkonte, por nuk u kthye më kurrë e gjallë. Trupi i saj i pajetë u gjet mëngjesin e nesërm, me dëmtime të rënda në kokë të shkaktuara nga goditjet me gurë.
Edhe pse dosja ka kaluar një odise të gjatë hetimore ndër vite midis policisë dhe prokurorisë, asnjë person nuk është ulur deri më sot në bankën e të akuzuarit për këtë krim. Rihapja e dosjes synon të hedhë dritë mbi provat e vjetra dhe dëshmitë e reja për të vënë më në fund drejtësinë në vend.