Një vatër zjarri është riaktivizuar sërish në fshatin Zidoll të Krujës, duke rikthyer alarmin në zonë. Flakët po përhapen me shpejtësi dhe situata mbetet shqetësuese për banorët dhe strukturat e emergjencës.
Ashtu si dy ditë më parë, zjarri është përhapur në afërsi të depove ku ruhet lëndë eksplozive, e përdorur nga guroret e zonës. Afërsia me këto depo e bën situatën veçanërisht të rrezikshme dhe kërkon monitorim të vazhdueshëm të perimetrit.
Terreni i thyer dhe shpati i thepisur malor po vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse nga toka. Për këtë arsye, kontrolli dhe izolimi i vatrës mbeten të komplikuara, ndërsa ekipet në terren vijojnë përpjekjet për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.