Shqiptarët ruajnë lidhjet e forta familjare, 24.6% takohen çdo ditë me familjarë e miq

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.08.2026, 12:20

Shqiptarët vijojnë të kenë lidhje të forta me familjen dhe rrethin shoqëror, duke ruajtur një model tradicional ku takimet dhe mbështetja e ndërsjellë luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme.

Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se 24.6% e qytetarëve në Shqipëri takohen çdo ditë me familjarë apo miq. Ky nivel e rendit vendin mbi disa prej shteteve të Europës Perëndimore dhe Veriore, ku kontaktet e përditshme janë dukshëm më të rralla.

Në Europë, rekordin e mban Qiproja me 48.1%, e ndjekur nga Sllovakia me 29.1% dhe Kroacia me 26.9%. Në anën tjetër, treguesi zbret në 10% në Francë, 6.8% në Austri, 5.1% në Holandë dhe vetëm 3.6% në Suedi.

Përveç kontakteve të përditshme, 20.5% e shqiptarëve deklarojnë se takohen me familjarë apo miq çdo javë, ndërsa 15.7% e bëjnë këtë një herë në muaj. Rreth 19.3% raportojnë takime disa herë në muaj.

Të dhënat pasqyrojnë peshën që vazhdojnë të kenë familja dhe rrjetet shoqërore në shoqërinë shqiptare, jo vetëm si pjesë e jetës sociale, por edhe si një formë mbështetjeje në përballimin e vështirësive ekonomike.

Megjithatë, emigracioni dhe ndryshimet demografike po ndikojnë gradualisht në këto struktura, duke larguar një pjesë të familjeve dhe duke dobësuar rrjetet tradicionale të mbështetjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit