Një tender me fond limit rreth 500 mijë euro për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Vlorë është vënë nën kritika pas konstatimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kompania “Asi-2A Co”, në pronësi të vëllezërve Astrit dhe Andrea Gjikondaj, u shpall fituese pavarësisht disa devijimeve nga kriteret e tenderit, të cilat Bashkia e Vlorës i cilësoi si të vogla dhe pa ndikim në zbatimin e kontratës.
KLSH konstatoi se drejtuesi teknik dhe disa mjete të deklaruara nga kompania si të disponueshme ekskluzivisht për këtë kontratë ishin të angazhuara edhe në projekte të tjera. Sipas audituesve, kjo situatë përbënte deklarim të rremë dhe binte ndesh me rregullat e prokurimit publik. KLSH e referoi rastin pranë Agjencisë së Prokurimit Publik për marrjen e masave administrative.
Pas hetimit, APP vendosi përjashtimin e “Asi-2A Co” për 12 muaj nga pjesëmarrja në tenderat publikë, pasi konstatoi se kompania kishte keqinformuar për qëllime kualifikimi në tenderin për shkollën “Avni Rustemi”. Vendimi ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si u vlerësua oferta fituese nga Bashkia e Vlorës në kohë e Ermal Dredhës, ndërsa deri tani nuk është bërë e qartë nëse rasti është referuar për ndjekje penale për shkelje të barazisë në tendera.

