“Semafori ka tre muaj që s’punon”, përplasen dy makina në Durrës, njëra përmbyset

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.08.2026, 18:28

Një aksident rrugor është shënuar pasditen e kësaj të enjteje në Durrës, në zonën pranë Urës së Dajlanit, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.

Si pasojë e përplasjes, një fuoristradë është përmbysur në rrugë. Në automjet ndodheshin drejtuesi dhe disa pasagjerë me shtetësi ukrainase, të cilët, sipas informacioneve paraprake, kanë marrë vetëm lëndime të lehta.

Në vendngjarje kanë mbërritur dy ambulanca, shërbimet e zjarrfikëses dhe Policia, ndërsa nuk dihet ende nëse personat e përfshirë kanë pasur nevojë për transport drejt spitalit.

Një dëshmitar nga vendngjarja i ka shkruar JOQ Albania duke ngritur shqetësimin për gjendjen e semaforit në këtë kryqëzim. Sipas tij, semafori nuk funksionon prej më shumë se tre muajsh dhe kjo situatë e bën qarkullimin edhe më të rrezikshëm.

“E gjithë faji i Bashkisë që ka lënë semaforin që s’punon ka më shumë se 3 muaj”, shprehet dëshmitari.

Aksi rrugor nga nyja e Shkozetit deri te Stacioni i Trenit prej disa muajsh është në punime, ndërsa mosfunksionimi i sinjalistikës në një prej kryqëzimeve kryesore ka shtuar shqetësimet e drejtuesve të mjeteve.

Policia ka nisur verifikimet për të përcaktuar shkakun dhe dinamikën e aksidentit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit