Publikohet fotoja e Fehim Salit me Daçiqin, i dyshuari për spiunazh u arrestua sot në Merdare

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 13.08.2026, 14:20

Është bërë publike një fotografi e Fehim Salit, i cili u arrestua sot në Merdare nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, gjatë një operacioni të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

Në fotografinë e publikuar, Sali shihet në shoqërinë e Ivica Daçiqit, politikanit të njohur serb, ndërsa arrestimi i tij ka ngritur pikëpyetje të forta për kontaktet që dyshohet se ka mbajtur ndër vite me struktura të Serbisë.

Sipas dyshimeve të ngritura nga autoritetet, Fehim Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës, BIA, si dhe ka mbajtur kontakte me zyrtarin e kësaj agjencie, Zhelimir Matoviq.

Sali punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit, ndërsa më herët ka qenë i angazhuar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se ai është marrë me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, si dhe me grumbullimin e votave në mbështetje të përkrahësve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa pritet që organet e drejtësisë të zbardhin rolin e plotë që dyshohet se Sali ka pasur dhe natyrën e kontakteve të tij me zyrtarët serbë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit