I riu shqiptar planifikonte sulm me bombë në Itali, inteligjenca e monitoronte prej kohësh

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.08.2026, 12:38

Një operacion inteligjence i koordinuar nga Drejtoria Qendrore e Policisë së Parandalimit (DCPP), në bashkëpunim me njësitë Digos në të gjithë Italinë, ka çuar në ndalimin dhe dëbimin e një 22-vjeçari shqiptar, i cili të hënën kishte mbërritur në aeroportin e Trevizos.

I riu u konsiderua nga autoritetet italiane si i radikalizuar dhe me dyshime për lidhje me ideologjinë e ISIS-it. Sipas të dhënave të hetimit, ai dyshohet se kishte synuar të realizonte një sulm me eksploziv në qendrën tregtare Adigeo, në Verona.

Sipas autoriteteve, 22-vjeçari kishte nisur prej kohësh një proces radikalizimi në internet, duke u ekspozuar ndaj materialeve me përmbajtje ekstremiste. Dyshohet gjithashtu se përmes rrjeteve sociale kishte mbledhur para që do t’i shërbenin për realizimin e një pajisjeje shpërthyese.

Autoritetet italiane theksojnë se operacione të tilla bëhen publike kryesisht kur përfundojnë me arrestime, dëbime apo masa të tjera ligjore. Megjithatë, aktiviteti i inteligjencës dhe monitorimi i personave të dyshuar për radikalizim vijon në mënyrë të vazhdueshme.

Në shumë raste, radikalizimi nis në internet, përmes platformave sociale, grupeve të mbyllura apo edhe hapësirave të “Deep Web”-it. Hetuesit monitorojnë aktivitetet online dhe, kur identifikojnë elemente shqetësuese, kalojnë në verifikimin e plotë të profilit dhe aktiviteteve të personit në jetën reale.

Në rastin e 22-vjeçarit shqiptar, autoritetet italiane ndodheshin ende në fazën parandaluese të ndërhyrjes. Pas vlerësimit të rrezikut, ai u largua nga territori italian dhe u kthye në Shqipëri.

Sipas raportimeve, informacionet për aktivitetet e tij u mblodhën edhe përmes komunikimeve me të afërmit që jetojnë në Pordenone. Ndërkohë, shërbimet e inteligjencës në Tiranë kishin vijuar monitorimin e aktiviteteve dhe lëvizjeve të tij, duke shkëmbyer të dhënat me autoritetet italiane.

Për shkak të dyshimeve dhe rrezikut të mundshëm, gjatë hetimit u shtuan masat e sigurisë në qendrat tregtare në Veneto dhe në zona të tjera.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit