Fati tragjik i futbollistes marokene/ U mbyt drejt Spanjës, pa e ditur se viza i ishte miratuar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.08.2026, 11:08

Faten Ben Omar El Azizi, 26 vjeçe, ishte futbolliste e Moghreb Atlético Tetuán në ligën rajonale të Marokut. Ajo ëndërronte të rritej si lojtare dhe të arrinte Evropën përmes futbollit, por të ardhurat e pakta nga sporti nuk mjaftonin për të mbështetur familjen.

Krahas futbollit, Faten punonte në varrezat më të vjetra të Tetuánit, ku pastronte varret dhe shiste buqeta me borzilok për familjarët e të ndjerëve.

Më 30 korrik, ajo u mbyt duke tentuar të notonte nga Maroku drejt Ceutës, territorit spanjoll në Afrikën e Veriut. Sipas organizatës për të drejtat e emigrantëve Caminando Fronteras, të paktën 141 persona humbën jetën gjatë kalimit masiv drejt Ceutës, shumica nën moshën 35 vjeç.

Ironia tragjike ishte se pikërisht ditën kur Faten humbi jetën, nëna e saj mori një telefonatë nga një zyrtar, i cili e njoftoi se viza e vajzës për në Spanjë ishte miratuar.

Nëna, Jamilla, thotë se Faten ishte bërë e heshtur dhe e distancuar gjatë javëve të fundit. Ajo nuk e dinte se vajza kishte aplikuar për vizë dhe nuk e kupton pse vendosi të rrezikonte jetën duke kaluar drejt Ceutës.

Vdekja e Faten vjen në një kohë kur papunësia e të rinjve mbetet e lartë në Marok. Në vitin e kaluar, rreth 40% e të rinjve 15–24 vjeç ishin pa punë, ndërsa shumë prej atyre që punojnë përballen me paga të ulëta.

“Si Faten, shumë nga miqtë e mi dhe unë nuk mund të gjejmë punë në vendin tonë. Është e vështirë të ndërtosh një të ardhme këtu”, thotë Simo, 20 vjeç, i cili u kthye në Marok pas kalimit masiv në Ceuta.

Sot, Faten është varrosur në të njëjtin varrezë ku dikur punonte. Për nënën e saj, tragjedia vazhdon: djali i madh arriti në Ceuta, ndërsa vajza 14-vjeçare ende nuk ka dhënë shenja dhe besohet se ndodhet atje. “Tani jam vetëm, pa fëmijët e mi”, thotë Jamilla.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit