Ministria e Shëndetësisë sapo ka lëshuar bombën e radhës statistikore që pritet të falimentojë shtetet europiane. Teksa turistët e zakonshëm vizitojnë Valbonën apo detin Jon, elita e huaj e vizitave turistike ka vendosur të provojë një sport akoma më ekstrem: Urgjencën e QSUT-së.
Nevoja për shërbim e hallexhinjve të huaj që u bie rasti të sëmuren në Shqipëri i detyron të përplasen domosdo në spitalin kryesor të vendit, por për institucionet shqiptare përfundon duke u bërë statistikë arritjeje...
Ministria sqaron me nota krenarie se ky është "një tregues i rritjes së besimit dhe teknologjisë". Sipas këtij rrëfimi institucional, duket se turistët e huaj, pasi lexojnë guidat për bukuritë e vendit tonë, thonë me vete: Pse të mos ia fusim dhe një xhiro në QSUT?!
Ndërkohë, qytetarët vendas, të cilët ndajnë të njëjtin sistem dhe presin radhët me muaj të tërë, duhet të ndihen jashtëzakonisht krenarë që vendi ynë po shndërrohet në një magnet shëndetësor rajonal. Çfarë rëndësie ka nëse mungojnë barnat apo pajisjet bazë, kur statistika flet për 400 guximtarë ndërkombëtarë që i mbijetuan sistemit tonë?
Nëse kjo ritëm vijon, Zvicra dhe Gjermania do të falimentojnë së shpejti, ndërsa aeroporti i Rinasit do të ketë nevoja urgjente për një terminal të dedikuar vetëm për pacientët e huaj që vijnë për turizëm spitalor ekstrem.
DEKLARATA E PLOTË E MSH
Shëndetësia shqiptare po bëhet një adresë besimi edhe përtej kufijve. Në 6-mujorin e parë të vitit 2026, mbi 400 pacientë të huaj kanë zgjedhur QSUT për të marrë shërbim shëndetësor në Shqipëri.
Edhe kur një udhëtim kthehet papritur në një moment të vështirë shëndetësor, ata gjejnë në sistemin tonë shëndetësor profesionistë, teknologji dhe kapacitete për t’u përballur me nevojat e tyre. Ky është një tregues i rëndësishëm i rritjes së cilësisë, kapaciteteve dhe besimit ndaj shërbimeve shëndetësore publike shqiptare.