I lodhur dhe me probleme shëndetësore, por ende në krye të detyrës për shuarjen e zjarreve në Krujë. Zjarrfikësi Ali Tupi ka treguar se, pavarësisht gjendjes së rënduar, vijon të punojë për përballimin e flakëve. Ai ka kryer edhe një grafi të kraharorit, ku janë evidentuar dëmtime në brinjë, ndërsa mban me vete edhe ilaçet.
Tupi tregon se ka rreth një javë që është në punë dhe se lodhja është shtuar gjatë ditëve të përballjes me zjarret. Megjithatë, ai shprehet se detyra duhet përmbushur dhe se nuk është vetëm puna ajo që e mban në terren, por edhe përkushtimi për të ndihmuar njerëzit dhe për të përballuar situatën.
“Duhet të vish në punë, do ta bëjmë me zemër e njerëzillëk”, shprehet zjarrfikësi, duke treguar forcën dhe përkushtimin e atyre që vijojnë të luftojnë me flakët, edhe kur vetë janë të lodhur apo të dëmtuar. Ali Tupi mbetet në terren, duke e vendosur detyrën dhe sigurinë e komunitetit përpara vështirësive personale.